Δευτέρα 19 Δεκεμβρίου 2011

Jo planeve të zhvillimit pa zgjidhjen e pronës

Dy shoqata, letër Këshillit Bashkiak të Himarës. Regjistrim tokës dhe shfuqizimi i ligjit 7501
Prona, kisha dhe komuniteti, tre terma historikë këto, janë aktualizuar si pjesë e kërkesave, që dy shoqata, ajo Bregdeti dhe Komuniteti Himarjot, kanë përfshirë në një letër që i kanë drejtuar Bashkisë së Himarës dhe këshillit të saj. Frenimi i procesit të regjistrimit të pronave të paluajtshme, përkatësisht kullota dhe tokë bujqësore, i zbatuar deri më tani përmes OSBE-së për trojet dhe shtëpitë e banimit, ka vënë në lëvizje përfaqësues të komunitetit himarjot. Kështu, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak nga dy shoqatat është prezantuar një letër– kërkesë, e cila parashtron shqetësimin për çështjen e pronave individuale, por edhe ato të kishës, nisur nga shqyrtimi i buxhetit vjetor, i cili ndër të tjera parashikon një plan zhvillimi, por edhe një taksë pronësie për qytetarët e zonës. Këtu duhet sqaruar se, nëse projekti i OSBE-së për regjistrimin e trojeve dhe banesave përfshin një vijë bregdetare që nis nga kufiri me Vlorën e shkon deri në Xarë të Sarandës, diskutimi në fjalë i referohet Bashkisë së Himarës dhe territorit që ajo administron. 

Për këtë arsye, letra në fjalë, e lexuar nga përfaqësuesi i Komunitetit Himarjot, Stavri Marko, i kërkon Këshillit të Bashkisë së Himarës që përpara se të trajtojë pronën si objekt taksimi, të zgjidhë apo të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të vetë pronës, që në këtë rajon lidhet ngushtësisht me ligjin e njohur nr. 7501 dhe të gjitha amendimet e bëra atij në vite. Ajo çfarë kërkohet, e që paraqet interes për të gjithë vendin për shkak të precedentit që krijon, është refuzimi për të paguar taksën e pronës, kullota dhe tokë bujqësore, sipas kufijve të krijuar nga zbatimi i ligjit nr. 7501, pasi në vetvete ai nuk njihet nga banorët dhe në rast pagimi, do të legjitimonte ndarjen e bërë. Në thelb, ky qëndrim i zyrtarizuar si kërkesë ndaj pushtetit vendor është mosnjohje e pasojave të zbatimit të një ligji të shumëkundërshtuar kudo, duke nxjerrë si kundërargument një pretendim me bazë kushtetuese e që referon te parim: “prona te i zoti”. Thënë ndryshe, diskutimi për buxhetin në këtë bashki po riciklon sërish çështjen e pronësisë, duke e kthyer tanimë atë nga një temë të trajtuar kryesisht në sfondin e një konflikti politik me qeverinë shqiptare, në një problem me natyrë ekonomike dhe sociale. Madje, sikundër thuhet në letër, reagimi supozohet të rritet më shumë përderisa nënvizohet qartë se, “Këshilli i Bashkisë së Himarës nuk përfaqëson detyrimisht interesat e banorëve të Himarës, pasi ai është votuar nga 3000 votues, në një kohë që komuniteti, në diasporë dhe në Shqipëri, përbëhet nga 25 mijë anëtarë”. Çfarë paralajmërohet pra, në skenarin më të keq, është protesta si formë kundërshtimi e për pasojë konfirmimi i problemit të pronës edhe në planin politik, përpos atij juridik që e ka vënë Shqipërinë përballë serialit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Por kjo kërkesë është marrë në konsiderata nga kreu i Bashkisë së Himarës, Gjergj Goro, i cili është shprehur se do të angazhohet për trajtimin e problemit dhe pas datës 15 janar 2012 ka premtuar zhvillimin e takimeve me shoqërinë civile dhe përfaqësues të komunitetit. Ndërkohë, vetë letra në përmbajtjen e vet paraqet interes nëse miratohet apo më saktë merr konsideratë nga institucionet shqiptare. Ajo i drejton Parlamentit dhe qeverisë kërkesën për kthim të pronës te pronari legjitimi dhe pezullim të ligjit 7501. Në kushtet e tanishme, kur zbatimi i mëtejshëm i këtij ligji është pezulluar, njohja e kësaj kërkese do të thotë abrogim i veprimit dhe pasojave të tij në një zonë të caktuar të Shqipërisë për të krijuar kështu të çarën e parë serioze në atë që mundet fare mirë të quhet si marrëdhënie juridike jonatyrale me pronën.

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

YPNO, YPNO YPNO,,,KSIPNYSTAE RE XIMARIOTES