|  | 
| Ψυχράνθηκε ο Ντούλε με το Ράμα | 
Ndonëse dita e sotme është afati i fundit i dorëzimit të listave të  koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste nuk  ka mundur dot të mbyllë në mënyrë përfundimtare koalicionin e saj. Shkak  janë bërë mosmarrëveshjet që kanë lindur me disa prej forcave aleate me  jo pak peshë në këtë kamp që nuk kanë rënë dakord me socialistët për  ndarjen e zonave të lira. Për këtë arsye Partia Bashkimi për të Drejtat e  Njeriut e drejtuar nga Vangjel Dule dhe Partia Demokracia Socialiste e  Paskal Milos nuk kanë firmosur ende marrëveshjen për t’u bërë pjesë e  këtij koalicioni, duke paralajmëruar daljen të vetme në këto zgjedhje.  Ndërkohë që deri më tani numri i partive që kanë rënë dakord për të qenë  në një koalicion elektoral është 24 parti.
Negociatat
Ndarja e njësive vendore si zona të lira për aleatët është kthyer në  një proces tepër të vështirë për Partinë Socialiste. Negociatorët e  PS-së e kanë patur të pamundur që të mbyllin marrëveshjet e  bashkëpunimit me të gjitha partitë me të cilat u komunikua gjatë këtij  procesi, brenda ditës që ishte vendosur si afat fundor. Kështu,  socialistët kanë lënë jashtë koalicionit me dëshirën e tyre Partinë  Komuniste të Hysni Milloshit dhe kjo për shkak të kontestimit që ka  gjetur kjo forcë nga disa prej aleatëve të tjerë. Por përveç  komunistëve, socialistët nuk kanë mundur të gjejnë mirëkuptimin në  bisedime me LZHK-në e Dashamir Shehit, ashtu si dhe me Aleanca për  Mirëqenie dhe të Koço Danajt, të cilat kanë vendosur të kandidojnë të  vetme në këto zgjedhje. Danaj ka deklaruar dje për MAPO-n se nuk u arrit  në marrëveshje, pasi forca e tij është për një bashkim të të gjithë  shqiptarëve përtej së majtës dhe së djathtës. Por ndërsa për këto forca  dihej që më parë vendimi për të mos u bashkuar me socialistët në një  koalicion, situata është bërë serioze kur dje nuk është mundur të  mbyllen negociatat me suskses edhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e  Njeriut të drejtuar nga Dule. Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur dje se  me këtë forcë politike nuk është bërë e mundur arritja e një  marrëveshje bashkëpunimi parazgjedhore dhe me shumë gjasa kjo gjë mbetet  e pamundur edhe gjatë ditës së sotme. Sipas të njëjtave burime, shkak  për mosmarrëveshjet e hasura ka qenë pikërisht Bashkia e Himarës, të  cilën PS-ja nuk ka pranuar t’ia lërë si zonë të lirë PBDNJ-së dhe  kandidatit të saj Vasil Bollano. Një arsye tjetër është edhe  bashkëpunimi i PS-së me partinë tjetër të minoritetit, MEGA. Nisur nga  kjo situatë, Dule, sipas burimeve, ka vendosur ta nxjerrë partinë e tij  si forcë më vete në këto zgjedhje. Megjithatë, i kontaktuar nga gazeta,  dje në mbrëmje Dule nuk ka dashur të shprehet mbi këtë problem, duke  theksuar se ka ende kohë për të marrë një vendim lidhur me të, duke  patur parasysh ditën e sotme. 
PDS
Nga ana tjetër, socialistët duket se po humbasin edhe një aleat  tjetër të rëndësishëm, PDS-në e Paskal Milos. Ashtu si edhe në rastin e  PBDNJ-së, shkak janë bërë mosmarrëveshjet lidhur me një sërë njësish  vendore. Në qendër duket se mbeten pretendimet e PDS-së për ta patur  Bashkinë e Roskovecit si zonë të lirë për të rikandiduar me kreun aktual  të kësaj bashkie. Ndaj PDS-ja, megjithëse jo në mënyrë përfundimtare,  ka vendosur që të dalë në një koalicion me PS-në, por në njësi të  veçanta siç është edhe ajo e Roskovecit të kandidojë me njeriun e saj.  Ka qenë vetë Milo ai që ka konfirmuar dje një informacion të tillë, duke  pranuar se bisedimet me socialistët kanë qenë të vështira. “Negociatat  me socialistët për ndarjen e njësive vendore si zona të lira janë bërë  tepër të vështira. Ndaj ne po mendojmë që, duke qenë brenda koalicionit  opozitar, të mund të kandidojmë në disa zona të veçanta me kandidatët  tanë, krahas atij të koalicionit”, tha Milo. Ndërkohë i pyetur lidhur me  Roskovecin, ai ka deklaruar “po, Bashkia e Roskovecit është në qendër  të këtyre mosmarrëveshjeve”. Pavarësisht këtyre dallimeve, PS ka afat  deri sot në orën 16.00  pasdite të rinegociojë edhe një herë me këta dy  aleatë, para se të mbyllë koalicionin “Opozita e Bashkuar” dhe ta  dorëzojë listën e partive përbërëse të tij në KQZ.  
 
 
 
1 σχόλιο:
RAMA PER PRISHJEN E KOLACIONIT ME DULEN
Pse u prish marrëveshja me PBDNJ për zgjedhjet?
Më lejoni ta them qartë dhe sinqerisht se Vangjel Dule është jo vetëm një aleat i denjë i yni, por edhe një mik i mirë dhe një qytetar i mirë i këtij vendi. Me Vangjel Dulen kemi patur një marrëdhënie të shkëlqyer dhe një bashkëpunim për të cilin unë dhe PS i është thellësisht mirënjohës dhe me respektin më të thellë. Ndërkohë, përsa i përket koalicionit, ai nuk është pjesë e koalicionit, por me të ne do të bëjmë një marrëveshje të veçantë, e cila do të jetë një marrëveshje bashkëpunimi mes aleatësh të ndershëm dhe të hapur për publikun, të cilët bashkohen për shumëçka, por jo për gjithçka, sepse po të bashkoheshin për gjithçka do ishin bashkë në një koalicion.
Ju u ndatë për Himarën dhe tashmë do kandidoni me kandidatin tuaj. Pse ju nuk e mbështesni PBDNJ-në në Himarë?
Ne kemi një qëndrim thjeshtësisht të ndarë në raport me Himarën dhe nuk e kemi me PBDNJ-në, nuk e kemi me Vangjel Dulen, por e kemi si qëndrim kritik ndaj një sërë qëndrimesh për vijën e sjelljes së kryetarit të Bashkisë së Himarës. Unë nuk shkoj më tutje, sepse nuk kam as dëshirë, por mbi të gjitha as prirjen që t’i hedh benzinë zjarrit të nacionalizmës dhe të bëj shqiptarin e flaktë, siç e bëjnë ata që nga njëra anë digjen me fjalë për Shqipërinë dhe nga ana tjetër e djegin atë siç e dogjën më ’97-n. Në këtë qëndrim ne ndahemi me Vangjelin dhe për këtë arsye ne do të garojmë veç e veç, sepse ne konsiderojmë që kryetari i Bashkisë së Himarës nuk i përgjigjet denjësisht as nevojave të atij komuniteti dhe as domosdoshmërisë për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme, respekti të ndërsjellë dhe bashkëjetese demokratike qytetare europiane mes shqiptarëve dhe përfaqësuesve apo anëtarëve të minoritetit.
Δημοσίευση σχολίου