Δευτέρα 2 Μαΐου 2011

Himarë, kandidati i PS, si Bollano. Postera në greqisht

HIMARE- Ata janë katër. Që të katërt garojnë për mandatin e kryebashkiakut në Himarë. Që të katërt po bëjnë fushatë elektorale me postera, por vetëm njëri në shqip.Tre të tjerë kërkojnë votat shqiptare me parulla greke. Vasil Bollano i Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, Jorgo Goro, i Partisë Socialiste dhe Dhimitër Llazari, i partisë MEGA ndryshojnë vetëm logot nëpër postera, ndërsa thirrjet dhe alternativat që paraqiten aty, janë të shkruara me germa helene. Dy të fundit edhe i kombinojnë tek-tuk ato me ndonjë “sqarim” në gjuhën tonë. Për shembull, socialisti Goro ka shqipëruar sloganin. “Së bashku për një Himarë Europiane”,
është parulla e Goros, e cila është e vetmja pjesë e materialit elektoral të tij që është përkthyer në shqip, pasi në çdo detaj tjetër gjithçka “shërbehet” në greqisht. Ndërkaq, Bollano nuk e njeh shqipen as për të shkruar emrin e tij. Ai ka stampuar identitetin me alfabetin grek, ndonjëherë dhe me atë anglisht, por në asnjë rast në gjuhën tonë. I vetmi që nuk ka pranuar greqishten në postera, është kandidati i Partisë Demokratike, Savo Prifti, por kudo që ndodhet ai, Bollano gjendet disa centimetra larg tij: majtas, djathtas ose më lart, por asnjëherë më poshtë… Pranë tyre Goro po zhvillon një fushatë të qetë posterash, ku ndryshe nga slogani i partisë mëmë “E vetmja rrugë”, paraqitet me parullën personale: “Së bashku për një Himarë Europiane”. Kjo është fushata e posterave grekë në Himarë, por ajo e klaneve politike duket se nuk njeh nacionalitet…
PS-PBDNJ
Shkaktoi sherr gjatë gjithë kohës, teksa partitë e mëdha rrekeshin të bënin koalicionet politike në Himarë, ku u tërhoqën pa asnjë aleancë, por edhe vijon të shkaktojë. Zyrtarisht ka dalë si përfaqësues i vetëm i PBDNJ-së me kryetar Vangjel Dulen, por praktikisht flitet për një mbështetje nga ana e Partisë Socialiste. Nga burime pranë këtyre dy partive, mësohet se kandidati i PS-së për Bashkinë Himarë, Jorgo Goro, është takuar me liderin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, të cilët kanë bërë një pakt të fshehtë për devijim të elektoratit në favor të Bollanos. Një fushatë intensive socialiste në kërkim të votave për PBDNJ-në, ose… një fushatë të vakët e të cunguar për t’i lënë hapësira asaj. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, socialisti Goro mohon marrëveshjen, por pohon dëshirën për një takim me Dulen. “Nuk e kam takuar Vangjel Dulen, edhe pse do të kisha dashur që ta takoja”, thotë Goro, i cili ende nuk është promovuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai realizoi ditët e fundit një turne në Sarandë dhe Gjirokastër, ku falënderimet publike për aleatin Dule i pati “me merak”, por jo edhe aq merak për Himarën, vetëm pak kilometra larg. Rama, i cili pothuajse ka shkuar tek të gjitha bashkitë për fushatë, nuk ndaloi në Himarë për të prezantuar kandidatin “rozë”, Goro. Në vend të tij, ai delegoi dy aleatët e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Paskal Milo të Partisë Demokracia Sociale dhe Petro Koçi, të Partisë Socialiste e Vërtetë ‘91 për të lobuar për Goron.
PD dhe MEGA
Në zgjedhjet e kaluara për qeverisjen vendore (2007), pas prishjes së koalicionit PS-PBDNJ, ishte PD-ja që mbështeti zyrtarisht Vasil Bollanon si kryetar bashkie në Himarë, ndërsa më 8 maj 2011 i duhet tashmë t’i marrë votat që i dha 4 vite më parë. Për këtë është zgjedhur demokrati Savo Prifti, i cili me sloganin personal “Të marrësh përgjegjësi, të japësh drejtësi”, pretendon të marrë Bashkinë Himarë. Beteja e tij është e shumëfishtë dhe jo vetëm për faktin se i duhet t’i rimarrë votat Bollanos, apo të përballojë mbase ndonjë aleancë të mundshme të sfidantit socialist me këtë parti, por sepse në garë është edhe një kandidat “brenda llojit”. Dhimitri Llazari, i cili në këto zgjedhje sfidon si konkurrent i partisë MEGA, në vitin 2007 ka garuar si kandidat i PD-së përballë Bollanos, duke fituar 710 vota. Tashmë ai po bën fushatën ngjitur me Priftin, po aq ngjitur sa posterat e tyre. Po kaq ngjitur u rri edhe kandidati i PBDNJ-së, sidomos afër Priftit. Ata gjenden së bashku në çdo shtyllë elektrike të qytetit të Himarës, por gjithnjë Bollano ndodhet “i ngjitur” më lart sesa kandidati demokrat. Edhe kur ky i fundit ka gjetur një vend që të qëndrojë më sipër, për shembull mbi tarracën e godinës blu të ish të përndjekurve politikë, Bollano rivalizon në ndërtesën ngjitur me të, ku mbi një mur ‘verdhacak’ të shpëlarë, posteri i tij me emër dhe mbiemër në greqisht, slogan greqisht, bën edhe thirrje elektorale në greqisht. Me publicitet më të vogël në përmasa paraqitet kandidati i MEGA-s, Dhimitri, por me Bollanon kanë të përbashkët gjuhën e posterave. Me të njëjtën gjuhë që përshkruan programin elektoral edhe kandidati socialist, Jorgo Goro. Sërish greqisht slogani, greqisht thirrja për votë, greqisht identiteti. Të gjitha këto, në Himarën tonë, tokën shqiptare.

PS-PD, pakt në 2000 kundër Bollanos
Nga të gjitha kandidimet e tij si kryetar bashkie, Vasil Bollano ka dalë vetëm një herë i humbur. Kjo ka ndodhur në vitin 2000, kur Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, për herë të parë nënshkruan një marrëveshje për Bashkinë e Himarës, duke dalë me një kandidat të përbashkët, Viktor Mato. Edhe pse në raundin e parë doli në balotazh me Bollanon, Mato fitoi në raundin e dytë me 70 për qind të votave. Më pas, në 2003-shin, Bollano fitoi Bashkinë e Himarës nën siglën e PBDNJ-së dhe i mbështetur nga PS-ja, në atë kohë në qeveri. Në 2007-n Bollano fitoi sërish, por këtë radhë u mbështet nga PD-ja, që ishte në pushtet.

MEGA, akuza Bollanos
Dhimitri Llazari, 58 vjeç, që vjen nga partia MEGA, garon për herë të dytë për Bashkinë e Himarës, pas humbjes në vitin 2007 kur përfaqësoi Partinë Demokratike. Ai kaloi si kandidat i MEGA-s, pas përplasjeve që pati me PD-në, ku kërkonte sërish të sfidonte Bollanon, gjë që u kundërshtua nga selia blu. Llazari premton të ndryshojë imazhin e minoritetit grek përballë qytetarëve shqiptarë, i cili, siç thotë Llazari, është përdorur politikisht nga klane të caktuara. Kandidati i Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, Dhimitri Llazari e ka cilësuar si tepër të nxehtë situatën politike në Himarë dhe për këtë, sipas Llazarit, përgjegjës është kryebashkiaku aktual, Vasil Bollano.
SHPRESA DINE / ELISABETA ILNICA
panorama.com.al

Δεν υπάρχουν σχόλια: