Vazhdojnë negociatat për bashkëpunimin në dy zona të jugut
Ajo që është prezantuar nga kreu socialist Edi Rama si një miqësi dhe bashkëpunim i shkëlqyuer me Vangjel Dulen, do të duhet të konfirmohet në terrenin politik përmes negociatave shumë të vështira. Kështu vetëm një ditë pasi, Rama ka bërë të ditur se me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të nënshkruhet një marrëveshje e veçantë që parimisht nuk e përfshin Bashkinë e Himarës, duket se procesi në fjalë po rezulton disi më i vështirë. Specifika e PBDNJ-së duket se kushtëzon paktin mes dy partive, i cili ka ngrirë perspektivën e bashkëpunimit në dy njësi me rëndësi-Himarë dhe Sarandë.Në ndryshim nga zona e Dropullit, ku PS ka lëshuar terren plotësisht për t’i lënë partisë së Vangjel Dules dorë të lirë, duket se në bashkitë e mësipërme interesat divergojnë për të mos thënë që mbeten shumë të kundërta. Përplasjes të krijuar për shkak të Vasil Bollanos po i shtohet loja e hapur me Sarandën, ku PBDNj ka lënë të kuptohet për rivalitet direkt me PS përmes kandidatit të vet, Vangjel Zafirati. Kështu në dy njësi ku selia rozë shpreson konfirmimin pas një kohe të gjatë, PBDNJ po zhvillon një lojë që për shkak të ndarjes së votave mund të çojë në mbajtjen e status quosë. Nga ana tjetër burim tensionesh dhe pabesueshmërie mbetet edhe lëvizja më e fundit informale e kreut socialist Edi Rama, drejt partisë tjetër përfaqësuese të minoritetit, MEGA, e cila nëse fiton terren kësaj radhe e vën në pikëpyetje rolin e pse jo ekzistencën e PBDNJ. Nga ky vështrim negocimi i PS në minoritet dhe në zona me rëndëis ekonomike si Himara dhe Bregdeti po zhvillohet me dy porta, diçka larg përkufizimit të bërë për vangjel Dulen si “një mik dhe qytetar i mirë i këtij vendi”. Në logjikën elektorale, ndarja PS-PD në Himarë, e kuoton si favorit Vasil Bollanon, pasi këtë gjë e konfirmon përvoja e deritanishme në këtë njësi të pushtetit lokal. Por fakt është se disatncimi i hapur i Edi Ramës dhe PS nga kryebashkiaku himarjot, dëshmon për atë se nënloja politike që merr fill nga interesat ekonomike është krejtëisht e kundërt me pamjen formale që ofrohet nga siglat partiake apo deklarimi mediatik. Për më tepër që “pretendime” ka shfaqur dje në media edhje “aleati po aq tradicional”, kreu i Partisë Demokracia Socialie, Paskal Milo, i cili ka bërë të njohur , kërkesat e veta konkrete. “Ne pretendojmë një bashki dhe disa komuna. Bashkia që ne pretendojmë është bashkia e Roskovecit. Këto negociata, të cilat mund të mbyllen ose nesër, ose pasnesër shpresoj të na sjellin në një kompromis të arsyeshëm, të pranueshëm për të gjithë", tha ai. Nisur nga kjo koniunkturë e brendshme që është krijuar, të paktën sa i përket Himarës dhe Sarandës, ku votuesit minoritarë përbëjnë te kjo e fundit diçka te 12 % të votuesve, PS ka në dorë të ndryshojë situatën politike që zgjat prej disa mandatesh. Distancimi i saj nga emri i Vasil Bollanos së bashku me faturën e një çarjeje me PBDNJ, është një zhvillim real, një mesazh për ndryshim, të cilin Partia Demokratike ia del që ta imunizojë veten përmes retorikës nacionaliste apo edhe miratimit të nismave me karakter të këtillë. Në fakt, Bollano mbetet në Himarë edhe një investim i demokratëve, po të nisemi nga fakti se bashkimi i dikurshëm i votave e la atë jashtë pushtetit. Simbolikisht, pushimet e zgjatuar të Berishës në verën e shkuar në këtë qytet dhe shoqërimi me kryebashkiakun flasin më mirë se çdo gjë për mënyrën sesi përpunohet loja politike dhe ku qëndron interesi real i secilit prej aktorëve në lojë.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου