Πέμπτη 20 Ιανουαρίου 2011

Tavo: Atentatorët përdorën makinën e ambasadës shqiptare

Një ditë pas publikimit në gazetën greke “Kathimerini”, të informacioneve në lidhje me atentatet që organizata ekstremiste “MAVI” ka ndërmarrë për vrasjen e tij, deputeti Vangjel Tavo hedh dritë mbi faktet dhe autorët e këtyre aksioneve. Ligjvënësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim sqaron në një intervistë për “MAPO” se, ndaj tij janë bërë tre atentate që kishin për synim eliminimin fizik dhe se në vitin 2005, agresorët udhëtuan drejt Shqipërisë me një makinë me targa diplomatike të ambasadës shqiptare në Athinë.
Në vlerësimin e Tavos, pas atentateve fshihen njerëz të minoritetit grek në Shqipëri që, siç thotë ai, kishin etje për të gjetur një vend në Kuvend ndaj shfrytëzonin ndjenjën nacionaliste të sëmurë, të këtyre pjesëtarëve të organizatës “MAVI”.
Zoti Tavo, e përditshmja greke Kathimerini ka publikuar sëfundmi pjesë nga libri i gazetarit grek, Stavros Ximas, ku shkruan se pjesëtarë të organizatës ekstremiste nacionaliste “MAVI”, e njohur ndryshe si Fronti i Çlirimit të Epirit të Veriut, kanë tentuar t’ju vrasin në dy atentate. A janë të vërteta këto informacione?
Në fakt, kur pashë sot dy gazetat, “Mapo” dhe “Standard”, që shkruanin diçka të tillë, unë u befasova dhe pyeta veten nga dolën këto informacione. Në fakt janë tre përpjekje për atentat ndaj meje. Zoti Ximas, gazetari i njohur grek që ka shkruar, më ka lajmëruar para ca kohësh që po botonte një libër, ku do të përmendte dy, nga tre tentativat. Për këto dy atentate, ai kishte arritur të konfirmonte gjithçka, pas takimit që kishte pasur me dy prej anëtarëve të organizatës “MAVI”, pjesë e grupit që më ishin vënë pas, për të më eliminuar.
Tentativa e parë, për të cilën shkruan “Kathimerini”, zoti Tavo, flet për një ngjarje në vitin 1997, në Gjirokastër, dhe konkretisht në shtëpinë tuaj. Çfarë ka ndodhur aty?
Bëhet fjalë për kohën menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1997, kur unë kisha marrë mandatin e deputetit, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Në mos gaboj, ishte dita e martë, pas të dielës së zgjedhjeve, dhe numërimi i votave kishte përfunduar. Dy persona më morën në telefon, në mëngjes, dhe mu prezantuan si gazetarë të “Radio Maqedonia”, një radio që i përket qytetit të Selanikut, por në fakt ata nuk ishin të tillë. Ata thjesht më përmendën faktin se janë gazetarë dhe dëshironin të më merrnin një intervistë, në lidhje me zgjedhjet dhe fitoren e tyre. Unë e mirëprita kërkesën e tyre dhe i ftova të vinin në shtëpi. Ishte ora rreth 10 e paradites, kur biseduam, dhe deri në orën 8 e gjysmë, apo 9, të darkës, nuk erdhën. Në orën 22:00 të darkës më morën nga i njëjti numër telefoni, ishte një numër grek dhe më thanë se jemi ne gazetarët, sërish. Ju thashë, unë ju prita që nga mëngjesi, po ju nuk erdhët, çfarë ka ndodhur. Më thanë se kishin pasur disa probleme në Kakavijë. U thashë, po nëse kishit probleme, pse nuk më morët në telefon, sepse mund t’jua zgjidhja unë, nëse i kishit në tokën shqiptare? Mu përgjigjen se kishin pasur probleme në tokën greke. Më thanë, ne kemi mbërritur deri tek kisha e fshatit tënd, por nuk dimë rrugën të vijmë deri tek shtëpia juaj, ndaj, a mund të vish të na marrësh. U thashë që do shkoja, por për fat të mirë timin, dhe ky është shansi se pse unë sot jam gjallë, babai im më tha lerë se shkoj i marr unë. Doli babai, mori dy personat dhe i solli në shtëpi. U takuam tek studioja që kam unë, dhe nisa të jepja intervistën, në të cilën me thënë të drejtën isha mjaft kritik ndaj organizatës “Omonia” dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me gabimet që ajo kishte bërë dhe rolin e saj në trajtimin e të drejtave të minoritetit në atë kohë. Në momentin që unë vazhdoja të flisja, një telefonatë mbërriti në telefonin e njërit prej dy personave që kisha përballë. Unë nuk mora vesh se çfarë i tha personi që i telefonoi, por ai ju përgjigj: Dakord, ju kuptova! Më pas, u kthye nga tjetri dhe i tha: Mbaruam, ikim! Ma lanë intervistën në mes dhe më thanë duhet të ikim. U thashë, më falni, kur do të transmetohet? M’u përgjigjën se do më njoftonin ata. Më vonë, pasi “MAVI” u zbulua dhe u ndëshkua nga drejtësia greke, njëri prej anëtarëve të kësaj organizate, që ishte edhe njëri prej personave që erdhi si gazetar në shtëpinë time, kishte takuar rastësisht një mikun tim. Atij i kishte thënë se ne kemi vajtur tek shtëpia e Vangjel Tavos dhe do ta kishim vrarë, nëse dikush nuk do të na telefononte, e të na thoshte se nuk bëhet, për shkak të problemeve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Unë nuk e di se kush ka qenë ky person, as sot, ndonëse jam përpjekur përmes mikut tim, të paktën, të marr vesh personin që më ka shpëtuar jetën. Ky emër është mbajtur sekret, por ndoshta mund të jetë edhe “përgjegjësi” i këtij aksioni. Policia greke e di si ngjarje, por e kanë lënë për faktin se gjithçka ka përfunduar dhe nuk është futur në detaj, për ta kuptuar si ka ndodhur. Është e vërtetë se një nga krerët e kësaj organizate, që kanë ardhur në shtëpinë time, banon në Athinë dhe tjetri banon në Janinë.
Po sa i takon rastit të dytë, zoti Tavo, flitet për një sulm që keni pasur gjatë një takimi të zhvilluar në kryeqytetin grek....
Ka qenë një aktivitet ku festonim përvjetorin e një gazete, që ishte në funksion të aktivitetit politik të së majtës në minoritet. Ishim në një tavernë të madhe greke dhe merrnin pjesë 500-600 simpatizantë të Partisë Socialiste. Në momentin kur unë zbrita nga makina, dhe sapo isha futur në derën e tavernës, shpërtheu një bombë dhe për fat të mirë u dëmtua vetëm makina, por jo unë, pasi kisha hyrë brenda tanimë. Në moment erdhi policia dhe drejtori i policisë së Athinës. Nuk ka pasur asnjë të plagosur, por njerëzit që po vinin drejt tavernës kanë parë dy njerëz që kanë ikur vrap, pas shpërthimit. Ata ishin vendosur 150-200 metra nga vendi i shpërthimit dhe më pas më thanë se kishte bombë me telekomandë. Në atë takim, rastisi të ishte edhe ish-ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli, që erdhi pasi bomba kishte plasur. Policia mbërriti dhe mori në kontroll qendrën dhe mua. Më pas, kam pasur mikro tentativa e shqetësime nga njerëz të ndryshëm.
Ju thatë se keni pasur edhe një tentativë të tretë për eliminimin tuaj. A mund të na e sqaroni?
Bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit 2005, kur unë sërish kandidova për Partinë Socialiste, për herë të katërt. Ishte nata e numërimit të votave dhe në Libovë, në qendrën e numërimit, një gazetare greke, që nuk dua t’ia përmend emrin, vjen dhe më thotë ruaju sepse këtu ka ardhur një person i shoqëruar nga dikush. Mi tha edhe emrat, dhe njërin unë e njihja pasi kisha pasur atakime të vogla, pasi është një person që ka probleme me drejtësinë shqiptare. Sipas gazetares, ai ishte strehuar në një fshat të minoritetit, por që unë s’do t’ia them emrin, pasi dekonspirohet më pas personi që e kishte strehuar. Më tha se kanë ardhur për të të vrarë ty, pasi e kishte marrë vesh direkt nga personi i cili kishte menduar se ajo ishte pjesë e bindjeve ekstremiste. Për fatin tim të mirë, ajo dekonspiroi këtë tentativë. Unë mora masat e mia duke njoftuar miqtë, por edhe drejtorin e Policisë së Gjirokastrës dhe shefin e komisariatit, të cilët morën masa duke më marrë në mbrojtje dhe në fakt tentuan edhe të futeshin në fshatin në fjalë. Atë natë nuk e dija shtëpinë se ku strehoheshin, por më pas e mora vesh, sikurse edhe personin, dhe makinën, të cilën e kishte futur në territorin e Shqipërisë dhe që i nxori jashtë nga territori ynë. Ajo ishte një makinë me targa diplomatike që i përkiste ambasadës sonë në Athinë. Nuk ka pse ta fsheh, ishte një diplomat i lartë në këtë ambasadë që i solli dhe i nxori nga Shqipëria. Në fakt këto të dhëna i mora vesh nga njerëz që janë afër këtyre që kishin ardhur për të më ekzekutuar mua. Në momentin që e mora vesh tentativën përmes gazetares bëra një telefonatë dikujt në Athinë që e dija se do ta transmetonte telefonatën. I thashë se i duhet thënë personit që e di se ku është fshehur (në fakt unë nuk e dija) dhe se duhet të zhduket një orë e më parë sepse do të dërgoj njerëz që ta heqin qafe atje ku është. Telefonata u transmetua ashtu sikurse policia kishte mbërritur rreth fshatit ndaj ata u larguan përmes makinës me targa diplomatike drejt Greqisë. Kam pasur edhe kërcënime të tjera më pas, por nuk i kam vlerësuar pasi nuk kam menduar kurrë se nga etja për një karrige, në Parlamentin shqiptar nga ana e kundërshtarëve të mi politikë, të mund të arrinin deri në eliminim fizik.
Ju mendoni se këta persona kanë qenë shtytës të atentateve ndaj jush?
Absolutisht po. Janë njerëz që siç e thashë kishin etje për të gjetur një vend në Kuvendin e Shqipërisë ndaj shfrytëzonin ndjenjën nacionaliste të sëmurë të këtyre njerëzve që ishin pjesë e kësaj organizate. Kjo bëhej duke ju thënë se Vangjel Tavo na ka tradhtuar, ka ikur nga OMONIA dhe PBDNJ, por për Partinë Socialiste ndaj është tradhtar i minoritetit dhe Greqisë. Ndaj edhe u bënë këto tentativa.
MAPO

Δεν υπάρχουν σχόλια: