Δευτέρα 28 Νοεμβρίου 2011

Reportazh, Himara dhe shpella mitologjike e Spilesë

Himarë-Shpella e Spilesë në Himarë, që është përcaktuar dhe saktësuar tashmë si mjedisi ku, gjatë kthimit të vet për në Itakë, personazhi homerik Odiseu u ndesh me Ciklopin, është tashmë një vend i harruar.
Ky vend mitologjik që mund të shndërrohej në një objekt të rëndësishëm në fushën e turizmit historik e kulturor, në fakt është shndërruar në të kundërtën.


Rreth 2 vjet më parë, ATSH botoi një shkrim rreth vlerave të jashtëzakonshme të këtij objekti, si dhe mungesës së kujdesit nga qeverisja vendore e më gjerë për të. Por, gjatë kësaj periudhe gjendja nuk ka ndryshuar aspak. Përkundrazi.

Identiteti, hershmëria dhe vlerat e jashtëzakonshme historike të Shpellës së Spilesë, që ndodhet në të dalë të qytetit të Himarës, në lagjen me të njëjtin emër, kanë mbetur në një errësirë pothuajse të plotë.

Megjithëse ndodhet vetëm pak metra larg rrugës, shumë afër qendrës së qytetit, Shpella e Spilesë nuk të krijon aspak përshtypjen e një mjedisi prehistorik, me ato vlera dhe atë trajtim që duhet të ketë një objekt i tillë, i përmenduar nga Homeri dhe dhjetra studjues dhe historianë. Sheshi i vogël që e ndan atë nga rruga, është mbuluar me gurë dhe gjithfarë mbetjesh të tjera, ndërkohë që vetë hyrja është e zënë me një rrjetë teli dhe disa listela hekurash të ndryshkur.

Historiani vlonjat, Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, thotë se, dikur, këtu, në hyrje të shpellës u vendos një pllakë e thjeshtë e cila përcaktonte se, ajo shpallej nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Monument Kulturor, Natyror Prehistorik”. Por, kjo pllakë nuk është më. Tentativat e njerëzve të caktuar për të ndërtuar përpara saj një lokal, apo hotel(!).e zhdukën edhe këtë provë konkrete të hershmërisë dhe vlerave të jashtëzakonshme historike të Shpellës së Spilesë.

Për të hyrë brenda mjedisit të shpellës, na duhet të largojmë dy prej listelave të hekurta dhe të depërtojmë mes disa shkurreve, duke u kujdesur të mos gërvishtemi. Një erë e pakëndshme myshku dhe mbetjesh të tjera organike, pasojë e papërgjegjshmërisë së njerëzve, janë ngacmimi i parë që marrim në këtë mjedis. Është një hapësirë e konsiderueshme, një shpellë që në këtë pjesë të dukshme, arrin një lartësi deri në 2-3 metra.

Në dysheme, spikat myshku dhe në tavan e në faqet anësore, evidentohet lehtësisht lagështia. Brenda kësaj shpelle ndesh edhe stalakmitet e stalaktitet, të formuara në shekuj si një dukuri natyrore tipike për shpella prehistorike. Pikat e ujit, që vijnë nga lart, e plotësojnë paksa këtë mjedis, që të krijon menjëherë ndjesinë e ngjarjeve që janë zhvilluar brenda tij. Pasi merr një gjerësi të plotë dhe në formë vezake, shpella vjen duke u ngushtuar dhe në fund të pjesës së dukshme dhe të ndriçuar të saj, krijon një “xhep”, një si lloj kthine, që të pengon të ecësh më tej. Pas kësaj vjen pjesa tjetër dhe kryesore e shpellës, e cila sipas zotit Gaçe, shkon deri në një thellësi prej 1500 metrash.

Dikur, në fund të viteve 1980-të, një grup i Akademisë së Shkencave e eksploroi shpellën deri në fund, ku u gjetën edhe prova të jetës të një periudhe më shumë se 7 shekullore përpara Krishtit.

Në vitin 1987, me nismën e prof. Aleks Budës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i dha kësaj shpelle statusin “Monument Kulture, Natyror Prehistorik”. Por, vetëm kaq. Vlerat e jashtëzakonshme historike të shpellës së Spilesë mbetën brenda tisit të harresës. Askush nuk u kujtua më për të. Pas viteve 1990-të, njerëz të papërgjegjshëm u munduan ta zhduknin edhe gjurmën e fundit të kësaj shpelle, hyrjen e saj, duke ndërtuar një objekt shërbimi, që do të përbënte një goditje ndaj vlerave të jashtëzakonshme të saj. Por, fatmirësisht, më pas ky objekt u shemb.

Gjithsesi, Shpella e Spilesë, nuk është promovuar aspak për vlerat që mbart dhe që do ta bënin atë një objekt me rëndësi të jashtëzakonshme në fushën e resurseve kulturore, historike në funksion të turizmit. “Nuk ka askund tjetër një objekt të tillë, me një vlerë të shumëfishtë prehistorike, e përshkruar nga Homeri për protagonizmin e personazheve të antikitetit”, thotë prof.Gaçe.

-Shpella e Spilesë, në veprat e më shumë se 17 studiuesve të huaj dhe shqiptarë-
Teksa kthehej fitimtar nga lufta e Trojës në udhëtimin e vet drejt Itakës, Odiseu, një nga protagonistët e kësaj lufte, u ndal këtu, në këtë shpellë, ku zhvilloi përballjen e vet të famshme me Ciklopin Polifem birin e Zeusit, banorin e saj. Sipas prof.Dr. Bardhosh Gaçe, për identitetin e kësaj shpelle si vendi real ku janë zhvilluar këto ngjarje, kanë shkruar të paktën 17 studiues të huaj dhe shqiptarë. Mes tyre edhe Jeronim De Rada, që e përshkruan të plotë Shpellën e Spilesë, në “Kimerën e dikurshme”.

Pas tij, janë eksploratorët arkeologë të njohur, P.Markone në fillim të viteve 1920 dhe Ugolini, në fund të viteve 1920, që në përshkrimet e tyre e përcaktojnë identitetin e shpellës si vendi ku u përballën personazhet homerikë. Madje shpella u përfshi edhe në një guidë të asaj kohe. Por, krahas kësaj është vetë Homerin, i cili e përshkruan qartë shpellën si vendi ku u ndeshën dy personazhet e tij, Odiseu dhe Ciklopi, në “brigjet e Kimerës”(Himara e sotme).

Por, mes personazheve që kanë promovuar vlerat e jashtëzakonshme të këtij objekti mitologjik, është aktori i famshëm me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiu, që luajti rolin e Uliksit në filmin “Odiseu” dhe që, sipas Gaçes, ishte edhe një studiues i pasionuar i historisë. Në fund të gushtit të vitit 2006 ai vizitoi mjediset e shpellës së Spilesë ku deklaroi mes të tjerash se, “Ky është një monument i rëndësishëm që duhet të ruhet dhe të promovohet, sepse sjell momente të njohura të historisë së mitologjisë”.

-Bashkia e Himarës, një projekt për këtë objekt-

Bashkia e Himarës po përgatit një projekt për rivlerësimin e Shpellës së Spilesë, si një objekt me vlera të identitetit historic të kësaj zone. Kryetari i kësaj Bashkie, Gjergji Goro, thotë se, do të synohet që kjo shpellë të shndërrohet në një mundësi për turizmin historik e kulturor, krahas objekteve të tjera të shumta që ndodhen në këtë zonë. Por, për këtë dhe për shkak të statusit të saj, kërkohet bashkëpunimi me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
lajmeshqip.com

1 σχόλιο:

freemind είπε...

wtf...ποιος νοιαζεται για την πνευματικη και ιστορικη κληρονομια ...χτιστε την και τη Σπηλια πατριοτες....Σοβαρα τωρα ,ειναι καθηκον και τιμη του κ. Γ.ΓΚ. να κανει αυτο που επρεπε να γινει χρονια τωρα, να σωσει οτι σωζετε τελοσπαντων.....