Δευτέρα 24 Ιανουαρίου 2011

“Unë kandidat për Himarën, të hapur për bashkëpunim me PD ose PS”

Kryetari i OMONIA-s komenton zërat për përçarje të përfaqësimit politik të minoritetit grek, si dhe bashkëpunimin e PDU-së me qeverinë “Berisha”. “Partia Mega, dështim dhe një zëdhënës i keq shtypi. Jemi kritikë për procesin e regjistrimit të popullsisë”
Intervistoi: Thimi Samarxhiu
Tiranë Kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano, nuk pranon asesi që përfaqësimi i minoritetit grek është i përçarë. Krijimin e partisë Mega, ai e cilëson një tjetër dështim, të ngjashëm me përpjekje të provuara e të rrëzuara këto 20 vjet, për faktin se kjo parti i ngjan një zëdhënësi të keq shtypi.
Në këtë intervistë për “MAPO”-n, kryetari kontrovers i Bashkisë së Himarës shprehet kritik për procesin e regjistrimit të popullsisë, ndërsa paralajmëron rikandidimin në zgjedhjet e 8 majit. Por në cilin koalicion do të rreshtohet kryetari i OMONIA-s në zgjedhjet lokale? Përtej marrëdhënies në dukje të afërt me kryeministrin Berisha, Bollano të habit teksa lë të hapur, sa majtas-djathtas, “portën” e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale.
Zoti Bollano, si e gjen OMONIA-n ky 20-vjetor, pasi është folur gjatë për përçarje dhe përplasje brenda minoritetit grek në Shqipëri?
Janë 20 vjet OMONIA dhe patjetër që ky organizëm politik i minoritetit etnik grek, përderisa i rezistoi këtyre 20 viteve, kjo do të thotë shumë për këtë organizatë politike, e cila është një organizatë e hapur dhe natyrisht që një detyrë e saj është përsosja dhe organizimi. Të jetë një organizatë demokratike, duke iu përshtatur kohës, me qëllim që të përfaqësojë në një mënyrë sa më dinjitoze dhe konstruktive minoritetin etnik grek, në politikën qendrore të vendit.
Krijimi i partisë MEGA, a e lëkund pozicionin e OMONIA-s?
Shpeshherë pyetemi për problemin e krijimit të partisë MEGA. Unë mendoj që është një përpjekje si të gjithë përpjekjet e tjera, gjatë këtyre 20 viteve, të cilat gjithmonë kanë dështuar. Kanë qenë disa përpjekje, disamujore ose vjeçare, të cilat gjithmonë kanë përfunduar në një drejtim të pavlefshëm, sepse nuk janë mbështetur asnjëherë. Mendoj që ky do të jetë fati dhe i kësaj partie. Do të jetë një parti, e cila nuk gëzon mbështetjen e minoritetit etnik grek në masë të gjerë; nuk mund të përfaqësojë problemet e minoritetit etnik grek dhe për një arsye tjetër, sepse e shikojmë si një opozitë që merr rolin e një zëdhënësi të keq shtypi, që gjithmonë merret duke kritikuar se çfarë bën OMONIA dhe PBDNJ-ja, por asnjëherë kjo parti nuk e ka thënë se cili është programi i saj dhe cilat janë objektivat e saj, në lidhje me avancimin e problematikave në sensin pozitiv, që shqetësojnë minoritetin etnik grek në Shqipëri. Në përfundim dua të them që kjo është një organizatë që ne nuk na shqetëson, por sigurisht ne do të vazhdojnë të interesohemi dhe të shikojmë problemet që të përfaqësojmë sa më denjësisht minoritetin.
Kohët e fundit, në qarqet diplomatike greke përflitet shumë regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, ku kërkohet që ky regjistrim të kryhet në baza etnike. Cili është qëndrimi që do të mbajë OMONIA për këtë problem dhe çfarë etapash do të ndiqni?
Nuk jam në dijeni në lidhje me këto qëndrime që sapo thatë. Unë jam në dijeni në lidhje me kontaktet që kemi pasur, të cilat kanë qenë të pakta, për mos të thënë vetëm një rast, që jemi kontaktuar përpara dy muajsh në një takim të hapur. Këtu ne jemi kritikë, sepse gjithë presioni që është ushtruar nga ana e minoritetit etnik grek, që regjistrimi i popullsisë të jetë një regjistrim demokratik, ku pyetësorët të plotësojnë të gjitha kriteret demokratike të një shoqërie të hapur dhe ky regjistrim në Shqipëri nuk është bërë. Dhe ne jemi kritikë dhe u jemi drejtuar strukturave përkatëse, duke i informuar në lidhje me problematikën që ne kemi konstatuar dhe jemi në pritje të një takimi, për të cilin ende nuk na janë përgjigjur.
Në mediat greke është përfolur shumë koalicioni i PDU-së me qeverinë, i cili është parë si një rrezik për minoritetin grek. Cili është mendimi juaj për këtë situatë?
Nuk besoj që paraqet asnjë rrezik. Programi i PDU-së, me programin e PBDNJ-së janë dy programe që ecin paralel dhe nuk përputhen në asnjë vend. Ky është dhe problemi që shumë përflitet, por nuk ka asgjë tjetër përveç kësaj. Parti që nuk u përputhen programet, patjetër që nuk mund të bashkëpunojnë.
Zgjedhjet lokale janë vetëm pak muaj larg. A do jeni ju sërish kandidat për kreun e Bashkisë së Himarës?
Unë do të jem kandidatura e subjektit tim politik për këtë Bashki. Angazhimet tona, ecuritë e deritanishme janë ato të cilat ne na detyrojnë të vazhdojmë përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të Himarës.
PBDNJ dhe OMONIA, cilët koalicioni do t’i përkasin në këto zgjedhje?
Ne tani po shkojmë drejt zgjedhjeve. Sigurisht që asgjë nuk është vendosur. Personalisht, si kryetar i OMONIA-s, nuk kemi asnjë kompleks në lidhje me bashkëpunimin. Kemi bashkëpunuar shumë mirë me Partinë Demokratike, njëkohësisht kemi bashkëpunuar dhe në zgjedhje të tjera me Partinë Socialiste. Asgjë nuk na pengon dhe asnjë kompleks nuk na shqetëson, thjesht këto janë ato të cilat në momentin e fundit, duke peshuar interesat e subjekteve politike dhe ndërtohen praktikat se me cilën formë ne do të zbresim në zgjedhje. Por të jeni të sigurt që ende nuk ka asnjë vendim, pasi ende nuk jemi futur në fazën përfundimtare.
OMONIA feston 20-vjetorin, Bollano flet greqisht
Njëzetvjetori i themelimit të OMONIA-s e gjen përfaqësimin politik të minoritetit grek në Shqipëri të përçarë. Në ceremoni mungojnë përfaqësues të PS dhe PD
Me një gotë verë në duar dhe nën tingujt e muzikës greke në sfond, Vasil Bollano dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, uruan të gjithë të pranishmit për 20-vjetorin e organizatës OMONIA. Edhe pse i shfaqur me probleme të shumta në radhët e saj, përfaqësimi politik i minoritetit grek në Shqipëri, nuk ka lënë jashtë axhende përvjetorin e 20-të, duke treguar kësisoj se asnjë tronditje nuk ka ndodhur në radhët e saj. Gjatë pasdites së djeshme, gjithë pjesëtarët e kësaj organizate festuan ditëlindjen e 20-të të saj, duke uruar dhe shumë vite të tjera jetë për këtë organizatë. Në këtë pritje, nuk munguan pjesëtarët e partisë PBDNJ, si dhe ambasadori i Greqisë në Tiranë, i cili i shprehu urimet e tij në emër të shtetit helen, kryetarit të kësaj organizate, Vasil Bollano. Ajo që ra në sy gjatë këtij takimi, ishte mungesa e deputetit minoritar Vangjel Tavo, i cili ndryshe nga festimet në Gjirokastër, gjatë mbrëmjes së djeshme nuk ishte i pranishëm në këtë festë. Gjithashtu, asnjë prej përfaqësuesve të politikës, qofshin këta të Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike, nuk ishin të pranishëm në këtë pritje të organizuar nga OMONIA.
Ndërkohë, fjala e rastit u mbajt nga kreu aktual i kësaj organizate, Vasil Bollano, i cili preferoi t’i drejtohej në greqisht të gjithë të ftuarve. Më të habiturit e këtij vendimi të Bollanos ishin përfaqësuesit e medias, të cilët edhe pse të ftuar për të mbuluar aktivitetin, nuk morën vesh asgjë nga fjalimi i kreut të OMONIA-s. Të vetmet fjalë që Bollano shprehu në shqip, nga podiumi i eventit, ishte urimi dhe për 20 vite të tjera të OMONIA-s në politikë.
gazeta MAPO

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

z. Bollano, eshte mire te rreffeje aferat e pista me Berishen, pasi edhe rruga Llogora Sarande, eshte bere me fondet e ministrise se jashtme greke. pra ku e lidh kjo miqesi kaq e forte me Berishen, Ministrin Lulezim Basha me Bollanon, aq sa edhe Odise Goro ish bashkiaku i Himares, do ta kishte zili, se perse himariotet ne 1997 i thane atij.. largohu kelush i Berishes? Pse deklaron Bollano se kerkon ndihme nga Berisha per tu zgjedhur kryetar Bashkie,,,?? do te vije dita qe edhe ai te ike si Berisha, ne se nuk i tregon popullit te Himares, te verteten se cfar e lidh ate me Berishen kaq ngushte.......

Spyros Milos