Πέμπτη 1 Σεπτεμβρίου 2011

Wikileaks: Ο ρόλος του γαμπρού του Μπερίσα στην κατεδαφιση των κτισματων στο Γιάλι

Roli i dhëndrit të Berishës në prishjen e ndërtesave në Jalë

Ambasada Amerikane komenton prishjen e ndërtesave në Jalë me kërkesë të Jamarbër Malltezit. Skandali renditet përkrah tragjedisë së Gërdecit, skandalit të rrugës Durrës-Kukës dhe marrëveshjeve të dyshimta me Damir Fazlliç
Një vit pas prishjes së ndërtimeve në Jalë, Banka Botërore ka nisur një hetim për ndikimin që ka pasur dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi. Ambasada komenton situatën dhe e cilëson rastin konkret si korrupsion që duhet ti shtohet rasteve të tjera si Gërdeci, rruga Durrës-Kukës dhe marrëveshjet me Damir Fazlliç.

Titulli: Familja Berisha e lidhur me ndërtimet e Bankës Botërore

Dërguar nga Ambasada e Tiranës më 10.02.2009

Merr Departamenti Amerikan i Shtetit

Firmosur ambasadori Xhon Uidhers

“Në fund të janarit 2009 parlamenti shqiptar dhe shtypi nisën të akuzonin qeverinë shqiptare dhe veçanërisht dhëndrin e kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, për keqpërdorimin e fondeve të projektit të Bankës Botërore për qëllime personale. BB ndaloi projektin dhe tashmë po heton skandalin në qendër të të cilit ndodhet prishja me dhunë të disa ndërtesave në vitin 2007 në kundërshtim me politikat e Bankës Botërore. BB pritet që të nxjerrë përfundimet e këtij hetimi në mes të shkurtit.

Media lokale ka shtënë në dorë kohët e fundit kopje të dokumenteve të Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore, në të cilat çështja konsiderohet si “një nga hetimet më të vështira që është ndërmarrë këto 14 vitet e fundit”. Skandali është rreth projektit të BB-së “Për menaxhimin e strukturuar të bregdetit të jugut”, i drejtuar nga dhëndri i Berishës, Malltezi… Banka Botërore pranoi të financonte projektin pasi mori garanci nga qeveria Berisha se asnjë ndërtesë nuk do të prishej deri sa të ishin kryer të gjitha procedurat dhe banorët e zonës të ishin rregulluar në një zonë tjetër.

Por në 26 mars 2007, Malltezi dërgoi një letër tek autoritetet lokale, përfshirë edhe kreun e Policisë Ndërtimore, për tu ankuar mbi “ndërtimet pa leje në bregdetin e jugut”, veçanërisht në Jalë. Në letër thuhej se fotografitë ishin financuar nga projekti. Maltezi kërkoi që të merreshin masa sa më shpejt. Më pak se një javë më pas, më 3 prill, policia njoftoi banorët që shtëpitë e tyre do të prisheshin. Atyre iu dha pesë ditë afat për të apeluar vendimin në gjykatat lokale, gjë të cilën ata e bënë, Por përpara se gjykatat të shqyrtonin apelin, buldozerët nisën shkatërrimin e shtëpive, proces i cili përfundoi më 17 prill.

Në një kërkesë të mëvonshme, maltezi i premtoi Policisë Ndërtimore se zyra e tij kishte siguruar pajisjet e nevojshme për të kontrolluar situatën në terren. Këto pajisje ishin aparate fotografikë dixhital, kompjuterë, GPS etj. Në fund të letrës së tij shkruhej: “Vazhdimi i ndërtimeve pa leje përgjatë bregut vë në rrezik vazhdimësinë e projektit të financuar nga BB dhe donatorët”.

Shpejtësia e implementimit të vendimit për prishjen ishte e paprecedent. Në shtesë të kësaj, u prishën vetëm ndërtesa që pengonin projektin. Deri më tani banorëve të prekur nuk i është dhënë as ndihmë financiare dhe as kompensim.

Kritikat dhe anëtarë të opozitës pretendojnë se është abuzuar me projektin e BB-së për përfitime personale të Malltezit dhe kanë kërkuar që prokuroria të hetojë çështjen. Nga ana e tij, Berisha ka akuzuar panelin e hetuesve të BB-së se po hedh baltë dhe po shpif kundër qeverisë shqiptare…

Vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, një tjetër skandal korrupsioni (përveç atij të Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës dhe marrëveshjeve të biznesit me biznesmenit hije nga Bosnja, Damir Fazlliç), dobëson edhe më shumë imazhin e Berishës si njeri kundër korrupsionit dhe shton perceptimin publik se kryeministri, familja e tij dhe rrethi i ngushtë po përdorin pushtetin për tu pasuruar. Ne do të vëzhgojmë se sa do të kërkojë të fitojë politikisht opozita nga ky skandal. Zyrtarët e korruptuar dhe shpërdorimi i detyrës janë një çështje e nxehtë për votuesit, por nga ana tjetër është një thikë me dy presa për opozitën për shkak të së kaluarës dhe të tashmes së tyre me marrëveshje të tilla”.
Shekulli

Δεν υπάρχουν σχόλια: