Τρίτη 22 Μαρτίου 2011

Socialistët e Dropullit: Bojkot nëse Rama nuk prish paktin me Dulen

Strukturat e bazës morën dje vendimin për të mos iu bindur kryesisë së partisë

Nga socialistët e dy komunave të minoritetit grek në Gjirokastër kanë refuzuar dje totalisht aleancën e PSSH me PBDNJ dhe kanë ngrirë të gjitha marrëdhëniet me udhëheqjen qendrore dhe kryetarin Edi Rama. Të hënën u mblodhën asambletë e PS-së të komunave të Dropullit të Sipërm dhe të Poshtëm në rrethin e Gjirokastrës për të diskutuar dhe vendosur për qëndrimet e mëtejshme politike në rrethanat kur të dyja këto komuna i janë lënë “zonë e lirë” partisë aleate PBDNJ, të Vangjel Dules.
Burime nga kjo mbledhje bënë të ditur se i gjithë debati u zhvillua në një rrafsh radikal, duke kundërshtuar qëndrimet e PSSH-së dhe kryetarit Edi Rama. “Ku shkoi sakrifica e socialistëve dropullitë që për rreth 20 vjet jemi përplasur dhe mallkuar nga PBDNJ-ja dhe Omonia, vetëm sepse ishim socialistë?”, “Kush dhe pse i shet kaq lirë votat e socialistëve dropullitë?”, “kush është kjo fuqi që shkel parimet e statutit dhe nuk përfill mendimin e bazës socialiste?”, këto ishin vetëm disa nga pyetjet e parashtruara në këtë debat të ndezur pas lënies së dorës së lirë për Vangjel Dulen për të kandiduar me përfaqësuesit e tij në të gjitha komunat “e pastra” të minoritetit grek në jug.

Burime të sigurta bënë të ditur se në këtë mbledhje është vendosur të bojkotohen zgjedhjet vendore të 8 majit, të mos plotësohen listat e këshilltarëve dhe të ngrihen marrëdhëniet me udhëheqjen më të lartë të PSH-së deri në përfundim të zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve Asambletë Socialiste të dy komunave do të mblidhen përsëri për të vendosur lidhur me qëndrimet e mëtejshme politike që do mbajnë.

Mësohet se të gjitha subjektet politike në zonat e minoritetit grek në Gjirokastër kanë bërë zgjedhjet e kandidatëve për kryetar komune dhe i kanë dërguar ato zyrtarisht në strukturat qendrore për miratim përfundimtar. Strukturat e bazës së PS-së në Gjirokastër kanë propozuar si kandidat të tyre: Panajot Lulën në Dropull të Sipërm, Jorgo Koninin, ose avokatin Pirro Boboli në Dropull të Poshtëm dhe Pano Goçin në Pogon. Ndërkohë që strukturat e PBDNJ-së kanë propozuar si kandidat Ilia Papailën në Dropullin e Sipërm, kryetarin aktual Dhimitër Maluqin në Dropullin e Poshtëm dhe Thanas Qiron në Komunën e Pogonit.

Megjithatë, subjekti që “trazon” dhe “streson” subjektet që deri tani kanë mbizotëruar spektrin politik përfaqësues të minoritetit grek PS dhe PBDNJ, është padyshim Partia e re e grekëve të Shqipërisë MEGA. Burime të besueshme nga kjo parti bënë të ditur se kanë propozuar për kryetar komunash kryetarin aktual të komunës Koço Kosta në Dropullin e Sipërm (deri tani përfaqësues i PBDNJ-së), biznesmenin Lefter Baruta në Dropullin e Poshtëm dhe në Pogon kryetarin aktual të kësaj komune Taqo Mejdi, që deri tani ka qenë përfaqësues i përbashkët i PD dhe PBDNJ.

Mësohet gjithashtu se disa përfaqësues të PS-së në Dervician, fshati më i populluar i minoritetit grek, gjatë një takimi të socialistëve është propozuar të dielën që krahas bojkotit të votimeve të datës 8 maj, të vendosin dhe të hapin simbolikisht në Dervician një kuti votimi metalike, shenjë e izolimit të vullnetit të lirë të votuesve minoritarë dhe pas votimit t’ia dorëzojnë kutinë simbol kryesisë së PS-së dhe kryetarit Edi Rama.
SHQIP

Δεν υπάρχουν σχόλια: