Πέμπτη 23 Δεκεμβρίου 2010

Από πρωτοσέλιδο σε πρωτοσέλιδο Ντούλες - Μπολάνος

Εδώ το κείμενο στα αλβανικά. Αν θέλετε μετάφραση διαβάστε το δελτίο τύπου της ΟΜΟΝΟΙΑΣ


Dule: Minoriteti vendos për bashkitë në Jug
“As PD-ja, e as PS-ja nuk i kanë fituar bashkitë pa mbështetjen e PBDNJ-së”
SARANDË. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe ai i “OMONIA”-s, Vasil Bollano kanë organizuar një takim disa orësh në Sarandë. Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë të zgjedhur nga Saranda e Delvina. Dule ka veçuar katër momente shumë të rëndësishme, përpara të cilave gjendet minoriteti etnik grek dhe përfaqësuesit e tij. Si të tilla ai ka konsideruar mbajtjen e kongresit të OMONIA-s në janarin e vitit 2011, regjistrimin e pronave të minoritarëve, regjistrimin e popullsisë dhe zgjedhjet vendore të 8 majit.
Dule theksoi se, “OMONIA” lindi si organizatë etnike, do të vazhdojë të jetojë si e tillë dhe askush nuk ka mundur të ndryshojë kursin e saj apo të thotë se nuk gjendet në pozicionin e duhur. Si kundërargument ndaj akuzave për mungesë të frymës moderne dhe demokracisë në “OMONIA”, Dule tha se, “do të donim të gjithë që të kishim një organizatë etnike perfekte, por edhe makineritë superteknologjike që ka bërë njeriu nuk funksionojnë pa defekte, pasi edhe ato kanë probleme”. Si një veçori të “OMONIA”-s, Dule ka sjellë faktin që në 20 vjet ka ndërruar 7 kryetarë, duke e paraqitur këtë si një element të shprehjes së demokracisë së zhvilluar. Sipas tij, një demokraci e tillë u mungon edhe partive të mëdha shqiptare. Nga ana tjetër, Dule ka pranuar se ajo që duhet ndryshuar në “OMONIA” nuk është tek orientimi i saj, por në nivelin e funksionimit të forumeve, pasi sipas tij, “OMONIA” nuk është kryetari, dhe as Këshilli i Përgjithshëm, por ka nevojë për kontribute lokale.
Duke u ndalur në regjistrimin e popullsisë, Dule tha se ai duhet bërë sipas standardeve europiane, pasi spekulimet me numrin e popullsisë minoritare, sipas tij janë pa fund. “Regjistrimi real dhe sipas asaj që kërkojnë organizmat ndërkombëtare, - u shpreh Dule, - do të bëjnë që të kapërcehet situata aktuale, kur nuk dihet cila është kombësia, rrënja dhe gjuha e secilit”. Për këtë proces, kreu i PBDNJ-së tha se nuk ka ende asnjë hap konkret për kuadrin ligjor që do të garantojë një proces të rregullt dhe transparent”.
Zgjedhjet vendore ishin momenti ku Dule qëndroi më gjatë në takimin e së martës, në Sarandë. Duke iu referuar rezultateve të vitit 2007, ai vlerësoi se u arritën përqindjet më të mira të atyre zgjedhjeve vendore. “Duhet të vemi atje, - ka apeluar ai, - për bashkitë e Sarandës dhe Delvinës”. Duke bërë fjalë për pretendimet zgjedhore të vitit 2011, Dule u tha të pranishmëve se, “asnjë nga partitë e mëdha nuk e ka të lehtë të marrë Bashkinë e Sarandës apo Delvinës, pa mbështetjen e PBDNJ-së”.
Për sa u përket problemeve në drejtim të respektimit të të drejtave, u qëndrua në përdorimin e gjuhës amtare nga pakicat, respektimi i kuadrit ligjor, duke sjellë shembuj nga fshirja e tabelave të shkruara në gjuhën greke nëpër rrugë, etj.
Në përgjigje të pyetjeve që u drejtuan nga të pranishmit, Dule bëri publike edhe qëndrimet zyrtare të qeverisë. Krijimin e partisë MEGA ai e quajti “diversion të Kryeministrit Berisha për të përçarë organizatën “OMONIA” e PBDNJ-në dhe për t’i kontrolluar ato. Më tej Dule denoncoi për largimet nga puna në administratën shtetërore për arsye të bindjeve e pozicionimeve politike dhe përkatësisë etnike

Athina, disa zyra për pronat në Shqipëri

Sipas kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, këto zyra janë hapur me insistimin e pushtetit vendor të minoritetit

Çështja e regjistrimit të pronave në Shqipëri nuk është më vetëm proces që mbulohet nga qeveria ‘Berisha’, por nga një partneritet ndërkombëtar. Një projekt i posaçëm i OSBE-së, i cili ka përfshirë institucionet e linjës në vend, si Agjencia e Kthim-Kompensimit të Pronave, Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave apo edhe zyra të tjera lokale e rajonale, pretendon se do të sjellë zgjidhjen përfundimtare të procesit aq shumë të përfolur. Përfshirja në këtë projekt edhe e një kompanie spanjolle, e cila ka nisur procedurat dhe ka marrë kontaktet e para në nivele lokale, kryesisht në zonën bregdetare të Bregut të Detit, të lë të besosh se kësaj here “odiseja” do të përfundojë me zgjidhje.
Por, zërat e fundit të krerëve të pakicës greke në takime të zhvilluara së pari në Athinë dhe në Sarandë, po zbardhin një përfshirje shumë më serioze dhe me një infrastrukturë të posaçme të palës greke në këtë proces. Në takimin e kësaj jave të zhvilluar me një grup prej rreth 80 simpatizantësh të tyre, dy krerët e pakicës greke, zoti Dule dhe kryetari i Bashkisë së Himarës, V.Bollano u shprehën se një zyrë e posaçme në Athinë po kontribuon për këtë zgjidhje. Ndërkohë që në takimin e zhvilluar dje me minoritarë dhe mbështetës të forcës së tij politike në qytetin e Sarandës, i pyetur nga gazeta “Shqip” zoti Dule tha se, është në dijeni të nisjes nga puna të zyrave greke në Athinë për regjistrimin e pronave të minoritarëve. Ai sqaroi se ky regjistrim është produkt i bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me OSBE-në. Sipas tij, regjistrimi në këto zyra ka nisur me insistimin e autoriteteve të pushtetit vendor të zonës së minoritetit etnik grek. “Kjo ka për qëllim që të ndihmojë me një studim konkret dhe me ide konkrete zgjidhjen përfundimtare, racionale dhe të drejtë të statusit të pronësisë në të gjithë këtë hapësirë gjeografike, - u shpreh Dule, - e cila është e ndrydhur në zhvillimin e vet dhe të potencialeve turistike, nga moszgjidhja përfundimtare e statusit të pronësisë”.
Sipas kreut të PBDNJ-së, deputetit Dule, dihet mjaft mirë se atje ku nuk është i qartë ky status, nuk mund të ketë investime. Në vlerësimin e tij, kjo që ka nisur me zyrat e regjistrimit në Athinë është një iniciativë që po konkretizohet. Në prononcimin e tij ai ka shprehur besimin se, “së shpejti ky regjistrim do të japë frytet e veta”.
Pohimi i zotit Dule për pasjen e më shumë se një zyre në Greqi që merret me procesin e regjistrimit të pronave në Shqipëri, e bën edhe më të dyshimtë angazhimin dhe “konfliktin e interesit” që pala greke mund të ketë në këtë procedurë, aq më tepër që kërkesa më e shumartikuluar dhe ankimet më të shumta për çështjen e pazgjidhur të pronave, e ka aktualisht krahina e Himarës, e cila qeveriset prej kreut të “OMONIA”-s, i cili hapur është afishuar si “luftëtar” i helenizmit dhe demonstron ortakëri publike me ultranacionalistët grekë. Sipas gjasave, zbardhja e infrastrukturës dhe e kapacitetit real të angazhimit grek në këtë proces do të shmangte politizimin dhe kontestimin e tij nga grupet e interesit që mund të dalin të prekura prej këtij procesi regjistrimi.

Δεν υπάρχουν σχόλια: